Tahiri: Qeveria Kurti katër vitet e fundit ka shkatërruar shpresën për një jetë më të mirë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime të mëdha pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se në seancën e së enjtes do të diskutohet për dy çështje kryesore: Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe largimin masiv të të rinjve nga Kosova.

Tahiri deklaroi se janë larguar 45 zyrtarë të teknologjisë informative nga komunat e vendit, me qëllimin e vetëm uljen e pagave të tyre.

Ai kritikoi ashpër Qeverinë për përpjekjet e saj për të partizuar administratën dhe për diskriminimin ndaj këtyre zyrtarëve.

“Përmes këtij ligji, synohet të partizohet niveli i mesëm i administratës, ndërsa zyrtarët e teknologjisë informative në komuna janë larguar me qëllim të uljes së pagave,” theksoi Tahiri.

Ai gjithashtu u ndal te largimi masiv i të rinjve nga Kosova, duke thënë se katër vitet e fundit kanë shkatërruar shpresat për një jetë më të mirë dhe mundësi punësimi.

Kjo ikje masive, sipas Tahirit, është rezultat i mungesës së drejtësisë dhe perspektivës në vend.

Tahiri kritikoi edhe raportet zyrtare për papunësinë, duke i cilësuar ato si të manipuluara dhe të shkëputura nga realiteti.

Ai akuzoi qeverinë se po manipulon me statistikat, duke pretenduar se papunësia është më e ulët se në vendet e BE-së dhe Zvicër.

Në lidhje me politikat rajonale, Tahiri vuri në dukje se Kosova është e izoluar në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë përjashtimin nga nisma të rëndësishme si ushtrimi Defender Europe 2023, dhe përballjen me sanksione nga BE-ja. Sipas tij, për katër vite nuk është arritur asnjë njohje e re ndërkombëtare./telegrafi