Caktohet masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për prodhim të narkotikëve në një laborator në Prishtinë

Nga një muaj paraburgim iu është caktuar dy të dyshuarve për laboratorin e drogës që u shkatërrua nga policia gjatë ditës së djeshme në Prishtinë, konkretisht në rrugën “Hyzri Talla”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit H.Xh dhe K.G, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike. 

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit H.XH dhe K.G dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin. 

 “Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse të  pandehurit  lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, të njëjtit mund të shmangen nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si është kryer vepra penale, gjegjësisht ka rrezik se mund të bëjnë asgjësimin, ndryshimin e provave në rastin konkret, si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarë, andaj gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

 Ndërkaq kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.