Vizita e Shefit të CIA-s në Kosovë e rajon, Musliu flet për mesazhet: Kush tenton luftë, paguan çmim shumë të madh

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, në një intervistë për emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka analizuar situatën aktuale gjeopolitike në botë dhe në Kosovë dhe vizitën e shefit të CIA-s në vendin tonë.

Ai theksoi se në nivel global, aktualisht janë 55 shtete me konflikte të ngrira dhe 42 vende ku konflikti është aktiv, duke krijuar një kaos global që mund të eskalojë, megjithëse jo në formën e një lufte botërore tradicionale.

Sipas Musliut, teknologjia dhe taktikat kanë ndryshuar, dhe konfliktet e ardhshme do të jenë më të sofistikuara.

Ai veçoi vizitën e fundit të zëvendësdrejtorit të CIA-s, William Burns, në Ballkan, duke e përshkruar si një paralajmërim për vendet që të shmangin çdo përfshirje me Rusinë.

“Vizita e zotit Burns ka qenë një tërheqje e vërejtjes për të gjitha vendet, të cilat i ka vizituar, për të mos tentuar fare që t’u bie në mend të hyjnë në ndonjë kombinim destruktiv me Rusinë, pasi dihet se në praktik edhe Dodik edhe Vuçiq pra edhe Republika Srpska dhe Serbia janë në praktik partnerë të Rusisë. Nëse do të tentohej një luftë çmimi do të jetë shumë më i madh këtë herë”, deklaroi Musliu.

Musliu përmendi se pas kësaj vizite, liderët serbë Dodik dhe Vuçiq kanë qenë më të përmbajtur në deklaratat e tyre, ndërsa edhe qeveria e Kosovës ka ndryshuar qasjen e saj, duke vepruar me më shumë maturi.

Lidhur me urën në Mitrovicë, Musliu theksoi se ajo do të hapet në kohën e duhur, pasi ekziston një marrëveshje ndërkombëtare.

Ai përmendi gjithashtu se Vuçiq përpiqet të nxisë reagime për të viktimizuar serbët në veri të Kosovës, duke ndjekur një strategji të ngjashme me atë të regjimit të Millosheviqit në vitet ’90./telegrafi