Nagavci: Të gjithë fëmijët të mësojnë gjuhën amtare shqipe me abetaren e përbashkët unike

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të mësojnë gjuhën amtare shqipe me abetaren e përbashkët unike të ideuar për brezat e rinj.

Nagavci, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se me të marrë mandatin në vitin 2021 ka nënshkruar marrëveshjen e përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.

“Abetarja e Përbashkët Unike. Të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mësojnë gjuhën amtare shqipe me abetaren e përbashkët unike të ideuar për brezat e rinj që do të mësojnë në këtë libër shkollor”, ka shkruar Nagavci.

“Me të marrë mandatin në vitin 2021 kemi nënshkruar marrëveshjen e përbashkët me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, mbi bazën e së cilës kemi ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për të vegjlit tanë në mbarë botën. Falënderuese për të gjithë ju, kolegë e bashkëpunëtorë, për punën e përbashkët, besimin, mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në avancimin e pandalshëm të sistemit arsimor”, shkroi ajo.