Haxhiu: Provimi i Jurisprudencës ishte transparent, kryejeni punën me profesionalizëm e bazuar në ligj

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë sot certifikatat për kandidatët, të cilët e kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës.

Ministrja e Drejtësisë u zotua se ky proces ka qenë transparent dhe pa asnjë ndikim.

Haxhiu ka kërkuar nga të certifikuarit që ta bëjnë punën me profesionalizëm, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Ju uroj më të mirat dhe jam e bindur që kur do që do të orientoheni në sistemin e drejtësisë, si prokuror, gjyqtar, avokat, apo kudo tjetër do ta kryeni detyrën me përgjegjësi të lartë. Kjo është e rëndësishme edhe për juve edhe qytetarët e Kosovës. Pra çfarëdo pozicioni që të merrni në të ardhmen, të jeni të bindur që është më mirën edhe për Kosovën që ai do të jetë një veprim i ligjshëm, pra veprimet dhe vendimet që i merrni të jenë të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe po ashtu të pa ndikuara”, tha Haxhiu.

Kryetar i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, u ka bërë thirrje të pranishmëve që në asnjë formë fati i njerëzve të mos ndryshojë për fajin e tyre.

“Kjo do të thotë shumë që i hapen dyert e secilit jurist për të ushtruar profesionin. Por këtë hapje të dyerve mos e merrni si privilegj, por merrne edhe si përgjegjësi, sepse pavarësisht se cilin profesion do ta ushtroni, keni gjithmonë përgjegjësinë që e keni fatin e njerëzve në dorë. Kujdesuni që asnjë herë fati i njerëzve të mos ndryshojë për fajin tuaj”, tha ai. /eo