Rrëfimi i Shaban Berishës për betejën shtatorëshe të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” në Drenicë

Ishte fillimi i vjeshtës së vitit 1998. Në zemër të malësive të Kosovës, Brigada 114 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga komandanti Fehmi Lladrovci, kishte zhvilluar një betejë të ashpër kundër okupatorit serb.

Ish-ushtari i kësaj brigade, Shaban Berisha, ka rrëfyer se si qëndruan përballë forcave serbe për 7 orë të plota, edhe pasi u vra komandanti Fehmi Lladrovci.

“Në orën 6:00 të mëngjesit e morëm ndërrimin, ata që ishin gjatë natës në vrojtim na treguar se ka pasur lëvizje të mëdha të forcave serbe në Fabrikën e Feronikelit. Më shokët që ishim në ndërrim e morëm me seriozitet dhe bashkë me Ukë Uka, Liman Lladrovci, Milaim Berisha dhe Milaim Preniqin vrojtuam gjendjen. Duke vëzhguar me dylbi të një snajperi, në grumbulluesit e ujit në Fabrikën e Ferronikelit, vërejtëm se tri tanke janë duke ardhur në drejtim tonin. Unë bashkë me Ukë Ukën, vendosëm që të kthehemi në istikame dhe t’i tregojmë shokëve, ta lajmërojmë komandantin Fehmi Lladrovci se forcat serbe filluan të dalin nga Fabrika e Ferronikelit”, tha Berisha.

Pas kësaj, komandanti Fehmi Lladrovci kishte mbledhur ushtarët, duke i përcaktuar në vendet përkatëse nëpër istikame.

“Ai ka qenë i qetë, na ka dhënë kurajë, duke thënë se duhet të jemi këmbëngulës, se nuk kanë çka me na ba. Komandanti na ka shpërnda në tri pika. Në pikën e quajtur “Trafa”, ka qenë Asllan Fazlia, si udhëheqës, në pikën Shkaba 2 ka qenë Islam Krasniqi, në pikën tjetër ka qenë Sabit Lladrovci me një pjesë tjetër të ushtarëve”, rrëfen më tej ish-ushtari Berisha.

Rreth orës 08:00 të mëngjesit kishin nisur granatimet nga forcat serbe. Ata e dinin se do të përballeshin me UÇK-në.

Komandanti Fehmi Lladrovci kishte udhëzuar ushtarët që pa u ofruar tanket dhe këmbësoria 50 metra, të mos shkrepeshin armët, pasi kishte mungesë municioni.

“Në momentin që komandanti ka gjuajtur me snajper, e cila ka qenë prodhim amerikan, që aso pushke nuk kanë pasur ushtria serbe, atëherë kemi gjuajtur dhe ne…”, rrëfeu më tutje.

Ata qëndruan përballë forcave serbe për 7 orë të plota, edhe pasi u vra komandanti i tyre.

Pra, forcat serbe nuk arritën t’i thyenin as për të tretën herë…“Herën e tretë kur kanë ardhë këmbësoria, kanë tentu edhe në kanal (istikame) me na hy por shumë vigjilent Islam Karaqica e dëgjon një zhurmë, që ushtarët serbë janë ofruar sepse kanë mendua që ne nuk jemi në atë pjesë. Më ka thirrë mu, m’ka thënë se është një zhurmë afër, po më duket që i kemi gjuajtë bashkëluftëtarët tanë që kanë ardhë në ndihmë. Për momentin janë ndalë krismat, dhe kur ka bë me dorë që heshtni pak se ka diçka, njëri tjetrit i kemi dëgju duke i thënë serbisht në të majtë, në të majtë, atëherë jemi çu mbi kanal: Islam Karaqica, Shaban Berisha, Selatin Kurrumeli, Ukë Uka, dhe Avni Bunjaku, e kemi gjuajtë nga një karikator me fishekë…”. “…Aty u dëgju një gjamë shumë e madhe…. masandej unë pas ofensivës kam shku kam gjetë gjurmë, granata dore, pjesë të tjera, pasi ka qenë afër, dhe atyre iu kemi ra në befasi kur kemi gjuajtë”.

“Hera e tretë e tentimit të tyre, ka qenë rreth orës 14:30, deri në ora 15:00 kanë zgjatë luftimet. Ka ardhë dikush na ka thënë se është urdhër me u tërheq se ma nuk është e jona. Atëherë jemi dalë nga kanali dhe jemi tërheq”.