KMDLNJ: Kush do t’i ndihmojë të burgosurit në Kosovë?!

Javën e kaluar në Qendrën Spitalore në Gjilan vdiq një i burgosur i moshës 78 vjeçe.

Sipas raporteve mjekësore, i burgosuri ishte pranuar me probleme të rënda kardiake që edhe e shkaktuan vdekjen, pavarësisht angazhimit të personelit shëndetësor të Qendrës së Paraburgimit në Pasjak të Gjilanit t’ia shpëtojnë jetën.

KMDLNJ-ja shprehet se rastet e përsëritura të vdekjes së të burgosurve për shkak të sëmundjeve të rënda duhet të zgjojë alarm tek institucionet e Kosovës, përkatësisht te Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Drejtësisë të marrin veprime të menjëhershme në mënyrë që të mbrohet jeta e personave të privuar nga liria për faktin se që nga vendosja e tyre në këto institucione përkujdesja dhe përgjegjësia bie mbi këto ministri.

“Rastet e shpeshta të vdekjes së të burgosurve duhet të zgjojë nga gjumi gjykatat që trajtojnë këto raste aq më parë që kemi të bëjmë me të burgosur me sëmundje të pashërueshme apo në moshë të pleqërisë së thellë. Këto raste duhet të trokasin edhe në ndërgjegjen e presidentes e cila, ndonëse ka të drejtë ekskluzive ligjore dhe kushtetuese deri më tani nuk ka falur asnjë të burgosur që nuk ka ndodhur as në regjimet më diktatoriale”, thuhet tutje në komunikatën për media.

KMDLNJ-ja thotë se “nëse të burgosurit, për shkak se kanë rënë në kundërshtim me ligjin duhet të dënohen kjo nuk nënkupton se ata duhet të privohen nga të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria dhe nga mëshira e shtetit, që në raste të caktuara duhet të zbatohet. E drejta për jetë dhe shërbime cilësore shëndetësore është e drejta kryesore e njeriut dhe mbi këto ngrihen të gjitha të drejtat tjera. Shërbimi Shëndetësor i burgjeve nuk ka kapacitete profesionale e as të tjera të trajtojë rastet e rënda ndërkaq që përgjegjësia për vdekjen e të burgosurve adresohet te ky shërbim, pa asnjë arsye dhe të drejtë. Për rastet e rënda, Shërbimi Shëndetësor i burgjeve varet nga Forenzika Psikiatrike ose QKUK-ja, sikur edhe nga spitalet rajonale që kanë kapacitet pranues shumë të reduktuar për pranim të të burgosurve sikur që për rastet me rrezikshmëri të lartë duhet një sigurim shtesë gjatë transportit dhe qëndrimit në institucionin shëndetësor”.

Gjykatat përkatëse shpërfillin skajshmërisht kërkesat e Shërbimit Shëndetësor të burgjeve për rastet me diagnozë terminale apo shkaku i pleqërisë së thellë, andaj edhe kemi raste të shpeshtuara të vdekjes së të burgosurve, shton KMDLNJ-ja.

KMDLNJ-ja lidhur me këto raste ka shprehur shqetësim të thellë për vdekjen e të burgosurve për shkak të angazhimit të pamjaftueshëm të Ministrisë së Drejtësisë që e ka nën përgjegjësi Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që ka nën përgjegjësi Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve.

“KMDLNJ-ja fton Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut që me urgjencë të trajtojë këto raste, sikur që, në bazë të mandatit që e ka, t’i vizitojë të burgosurit me gjendje të rëndë shëndetësore dhe pleqtë të thellë për faktin se atyre po u mohohen të drejtat elementare të njeriut, e drejta për jetë dhe shërbime shëndetësore sikur që Ligji për ekzekutim të sanksioneve penale po zbatohet në mënyrë selektive”.