Haradinaj: Për dy vjet nga FSK-ja u larguan mbi 400 pjesëtarë, me qeverinë e re paga më e ulët 1000 euro

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbi 11 për qind të ushtarëve janë larguar nga FSK-ja në vitet 2023 dhe 2024.

Ai ka thënë se kjo është alarmante dhe i ka ftuar ata të qëndrojnë, sepse premton se do ta ndryshojë gjendjen.

“Mbi 11 për qind e ushtarëve lëshuan FSK-në vetëm në vitet 2023 dhe 2024. Kjo është alarmante. I ftoj të qëndrojnë, sepse ne do ta ndryshojmë gjendjen”.

Haradinaj ka thënë se në vitin 2023 FSK-në e kanë lëshuar 257 pjesëtarë e në vitin 2024 200.

Ai ka shtuar se ata si arsye kanë përmendur kushtet e rënda financiare dhe pagat e pamjaftueshme.

“Në vitin 2023, numri i pjesëtarëve që e kanë lëshuar FSK-në është 257! Në vitin 2024 ka kaluar numri prej 200. I fundit nga ta më 19 shtator 2024. Shumica nga ta përmendin kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme në arsyetimin pse lëshojnë Ushtrinë.

Haradinaj ka thënë se është i shqetësuar “me trajtimin katastrofal” që Qeveria po ia bën ushtrisë sonë.

“Edhe pas 4 viteve të kësaj qeverie, numri i pjesëtarëve të uniformuar është nën 4.000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është harruar pothuajse plotësisht. Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që Qeveria po i bën Ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018. Ftoj rininë t’i bashkohen FSK-së dhe ftoj pjesëtarët të qëndrojnë aty”.

Ai ka premtuar se paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro.

“Ne do ta përmirësojmë me urgjencë gjendjen e tyre financiare dhe kushtet elementare të punës. Qysh në muajt e parë të qeverisë së re paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro”.