Kurti takon përfaqësues të diasporës në Venecia të Italisë, prezanton të arriturat në vend

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua dje me përfaqësues të shoqatave të diasporës sonë në Venecia të Italisë.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim janë diskutuar disa tema.

“Në bashkëbisedimin e tyre, u diskutua mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, progresin që ka njohur vendi në tre vjetët e fundit dhe perspektiva për avancim të mëtejmë të zhvillimit ekonomik dhe investimeve, por edhe të mirëqenies sociale. U bashkëbisedua gjithashtu për mërgatën tonë si urë ekonomike dhe kulturore ndërmjet shtetit të Kosovës e kombit shqiptar me Italinë dhe popullin italian”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se: “Kryeministri radhiti indikatorët pozitivë dhe premtues ekonomikë, ku përmendi ndër të tjera rritjen mesatare ekonomike 6.2%, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, krijimin dhe shtimin e vendeve të reja të punës veçanërisht me fokus në punësimin e të rinjve dhe grave, rritjen e qarkullimit të bizneseve”.

“Ai shtoi se si Qeveri jemi përkujdesur që zhvillimi ekonomik të shpërndahet te të gjithë qytetarët pa dallim, përmes masave të ndryshme ekonomike të ndërmarra, për të ndihmuar nënat, studentët e familjet, por edhe tejkalimin e krizave globale me të cilat jemi përballur”.

Duke shprehur vëmendjen e Qeverisë ndaj diasporës dhe kontributin ekonomik madhor të saj për vendin përmes investimeve në Kosovë dhe punës në programe të ndryshme, kryeministri theksoi dhe iniciativat e ndërmarra nga Qeveria për diasporën, si Shkolla për Diplomaci të Diasporës, platforma KosovaDiplo365, projekti Dritare për Investime të Diasporës e shumë të tjera.

Kryeministri i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për takimin dhe bashkëbisedimin e ngrohtë.