Kush i menaxhon minierat në Leposaviq, Serbia apo Kosova?

Sovraniteti, shtetësia dhe simbolet e Kosovës figurativisht mund të jenë shtrirë në targat e këtij kamioni por jo në flotacionin e minierës në të cilën e ka sjellë koncentratin e xeheve nga minierat në Leposaviq.

Flotacioni këtu në qytezën e Leposaviqit dhe miniera në fshatin Gnezhdanë ose Cërnac po ashtu në Leposaviq, dhe disa miniera të tjera, janë pronë e Shoqërisë Aksionare “Trepça”.

Edhe këtu në Flotacion edhe në minierën në Cërnac ku nuk na u lejua të marrim pamje, krahas flamurit të Trepçës valon edhe ai i Serbisë.

Pyetja lind kush e menaxhon këtë minierë, dhe kush i merr paratë e shitjes së xeheve: Serbia apo Republika e Kosovës?

Përgjigjen për këtë pyetje nuk e ka dhënë ndërmarrja ”Trepça”, përkundër pyetjeve të adresuara më 19 shtator në mesditë.

Por, vetë ndërmarrja Trepça në Planin e Biznesit për vitin 2024 e pranon se nuk e kanë në dorë pronën e saj.

Aty thuhet se në planin e biznesit për vitin 2024 përjashtohet Miniera me Flotacionin në Kopaonik – Leposaviq, për shkak të mungesës së të dhënave.

Edhe në planin e biznesit për vitin 2023 thuhet e njëjta gjë.

Megjithatë në raportet vjetore të ndërmarrjes Trepça, vlera e shitjes së xeheve figuron por që nuk nënkupton se menaxhohet prej saj.

TV Dukagjin ka kërkuar përgjigje edhe nga pronarja që ka 80% të hises në Trepçë, Qeveria e Kosovës.

As nga Qeveria e as Ministria e Ekonomisë deri në publikimin e kësaj kronike nuk kanë treguar se a i menaxhojnë dhe a i kanë në dorë minierat dhe Flotacionin në Leposaviq.

Televizioni ka kontaktuar edhe me drejtorin e minierave në Leposaviq, Dejan Kirstiq. I njëjti përmes telefonit ka thënë se duhet ta dërgojmë një shkresë në email, dhe më pas e konsideron përgjigjen gjatë javës që po vjen.

Të paktën me aq sa dihet e flitet publikisht, në këto miniera ka gati 35 vite që nuk ka shkelur këmba e minatorit shqiptar.

“Po edhe atëherë kemi punuar në kushte pak më të rënda, kushtet kanë qenë deri diku, jo sa duhet, po të vështira, të ardhurat kanë qenë shumë të vogla. Ne kemi qenë tri fshatra të kësaj ane, Koshtova, Bistrica dhe Ceraja, zakonisht kemi këtu në këto miniera. Kanë qenë katër miniera në këtë Rajon në komunën e Leposaviqit”, tha Fehmi Meha – Ish-minator në Minierën në Leposaviq.

Fehmi Meha në këto hapësira ka punuar në vitet 83-89, deri në periudhën që hynë në fuqi masat e dhunshme dhe u përjashtuan nga puna.

“Xehja në krahasim me Trepçën ka qenë shumë më e dobët, shumë diku mbi gjysmë më e dobët, ka pasur diku 500-600 punëtorë kane qenë, kemi qenë diku afër 300 shqiptarë, ka pasur edhe nga Mitrovica, nga Zhazha, Boletini”, vijoi ai.

Deri më sot këtë vend, Meha e ka vizituar vetëm një herë, por atëherë me ndihmën e policisë për ta marrë një librezë pune.

“Veç çka kam dëgjuar, punohet me dy grupe, një pjesë punon 3 muaj, prap punon grupi tjetër, edhe më tepër nuk kam informacione”, vijoi ai.

Kurdo që Mentor Berisha kryesues i bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes publike ‘Trepça’, e takon kolegun Dejan Kirstiq, përpos çështjes së menaxhimit në minierat e Leposaviqit, temë diskutimi mund ta ketë edhe formulën se si t’i rrisin të hyrat.

Kjo sepse gjatë vitit 2023 Miniera me Flotacion Kopaonik në Leposaviq ka shitur xehe në vlerë mbi 9 milionë euro, gati 1.5 milion euro më shumë sesa së bashku të gjitha minierat tjera, në Stantërg, Kishnicë e Artanë.