Peci bën homazhe tek ish-profesorët e tij që u vranë në 98-në

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë homazhe për dëshmorët e kombit Murat e Enver Haliti.

Në njoftimin e lëshuar në Facebook, ai thotë se ishin datat 22 dhe 23 Shtator të vitit 1998 kur në Gjimnazin “Frang Bardhi” të Mitrovicës u bë e ditur përfundimisht se profesori i Historisë, Murat Haliti, dhe ai i Gjuhës, Enver Haliti, nuk do të shënojnë më orën në ditar.

“Mbaj mend si sot, isha gjimnazist, mbretëronte heshtje morti, trishtim e dhimbjeje, por edhe ndjenjë inspirimi për gjeneratat e reja. Dy profesorët Haliti ranë heroikisht për të hyrë në pavdekësi. Ata me jetën e tyre që ia falën Kosovës, shënuan agun e lirisë”.

“Sot në 26 vjetorin e rënies heroike të profesorëve dëshmorë, isha në nderime në Lubovec. Na priti me bujari prindi i Profesorit Murat, Muharrem Haliti. Në prag të 82 viteve ai mposht dhimbjen e vështirësitë e jetës duke u udhëhequr nga krenaria për kontributin e dhënë brez pas brezi. Bashkë me djalin e Muratit, Shkëlzenin ishin të pranishëm edhe vëllai i dëshmorit Ekremi, vëllai i Profesor Enverit, Haxhiu, si dhe familjarë të tjerë”, ka shkruar Peci.