Zbulohet Mercedes-AMG i ri i frymëzuar nga F1

Mercedes-AMG ka zbuluar një edicion të ri të kufizuar të AMG GT 63 Pro të quajtur “Motorsport Collectors Edition”, i krijuar për adhuruesit e guximshëm të Mercedes Formula 1.

Nuk është hera e parë që divizioni AMG shkon në këtë rrugë, sepse në vitin 2020 krahu i performancës ndërtoi Mercedes-AMG GT Black Series ‘P One Edition’ bazuar në gjeneratën e mëparshme AMG GT.

Ashtu si ajo veturë, edhe edicioni i ri Motorsport mban një ngjyrë të zezë të stilit F1.

Bëhet e ditur se ngjyra bazë për edicionin e ri Motorsport Collectors është metali i zi obsidian, përcjell Telegrafi.

Që kur Mercedes iu bashkua F1 në vitin 2010, Petronas ka qenë sponsori kryesor i ekipit dhe si rezultat, skema e njohur e ngjyrave të kaltëra të ndezura të kompanisë ka qenë konstante në garuesit e kompanisë gjermane.

Motorsport Collectors Edition e shfaq atë në mënyrë të dukshme rreth dritareve, në ndarjet e përparme dhe rrotat.

Vetura merr gjithashtu paketën e fibrave të karbonit të AMG dhe një çati xhami panoramike.

Ekziston gjithashtu një sistem zëri i përmirësuar nga Burmester, një kamerë 360 gradë, paketë ndihmëse për shoferin dhe një ekran ballor.

Motorsport Collectors Edition përdor një motor të pandryshuar nga AMG GT 63 Pro – një V8 4.0-litërsh me turbo të dyfishtë, që kanalizon 603 kuaj fuqi dhe ka një transmision automatik me nëntë shpejtësi.

Kjo do të thotë një shpejtësi 0-96 km/h në vetëm 3.2 sekonda dhe një shpejtësi maksimale prej 317 km/h. /telegrafi