Brukseli e Beogradi s`tregojnë nëse është tërhequr letra e Serbisë

Beogradi zyrtar nuk e ka mohuar e as pranuar, nëse e ka tërhequr letrën me të cilën e informonte Brukselin se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura. Ish-kryeministrja Bërnabiq tha se tani nuk është koha e duhur për të zbuluar të vërtetën, ndërsa presidenti Vuçiq pretendon se “nuk e ka idenë” për letrën, dhe se “nuk ka asnjë problem me Marrëveshjen e Ohrit, e cila nënkupton disa obligime edhe pse nuk është nënshkruar”.

Beogradi vazhdimisht ka theksuar se me këtë letër sqaron qëndrimin e Serbisë se Marrëveshja e Ohrit nuk do të thotë njohje e Kosovës dhe se vijat e kuqe janë që të mos pranohet anëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Mendoj se tërheqja e letrës është objekt diskutimi dhe për këtë arsye nuk ka një përgjigje të qartë nga pala serbe nëse është tërhequr apo jo”, tha Dragan Popoviq, analist politik.

Megjithatë, për të tjerët, heshtja e Beogradit është një shenjë e qartë.

“As Bërnabiq, as Vuçiq, as askush tjetër nuk e mohuan Lajçakun. Pra, ata pranuan se letra ishte tërhequr dhe se është e vërtetë që vetë presidenti i Serbisë thotë se e ka pranuar gojarisht Marrëveshjen e Ohrit dhe se fjala e tij e detyron Serbinë në të drejtën ndërkombëtare. Dhe nëse shikojmë situatën në terren, Beogradi po zbaton gjithçka që është rënë dakord në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, thotë juristi Aleksandër Ollenik.

Përfaqësues të partive opozitare theksojnë se letra është tërhequr dhe se deklarata kontradiktore nga pushteti paraqesin përpjekje për riparimin e dëmit në nivel të brendshëm.

Opozita kritikon qeverinë se nuk ua ka përcjellë qytetarëve informacionin kyç për negociatat me Prishtinën dhe se të gjitha paqartësitë në lidhje me letrën janë vetëm një përpjekje e pushtetit për të shmangur reagimet e qytetarëve. /rtk