QKUK-ja thotë se i plagosuri në Mitrovicë është në gjendje kritike, i dyshuari në arrati
Gjatë ditës së sotme një person rreth 40 vjeç, me inicialet F.Z., është plagosur rëndë në rrugën “Fatime Hetemi”, në Mitrovicën Jugore.
Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka treguar se i plagosuri është në gjendje kritike.
“Është në gjendje shumë kritike…”, ka thënë shkurt Syla.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Valon Preteni ka thënë se Prokuroria është duke u marrë me rastin.
“Prokurori ka dalë në vendngjarje, si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur rëndë një person. Prokurori ka hapur rast dhe e ka cilësuar si ‘Vrasje e rëndë në tentativë’”, ka thënë Preteni.
Ndërkaq, siç merr vesh Telegrafi, i dyshuari është arratisur dhe nuk dihet identiteti i tij.