Ministrja Haxhiu flet për rastin e spiunit kosovar të Mossadit, i arrestuar në Turqi

Kosovari Liridon Rexhepi ditë më parë është arrestuar nga policia turke, të cilin Organizata Kombëtare e Inteligjencës Turke e ka identifikuar si kreun e rrjetit financiar të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, në Turqi.

Në lidhje me këtë rast, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një intervistë për “Zërin”, ka thënë se Ministria që ajo drejton nuk ka pasur ndonjë përgjegjësi për këtë rast, duke theksuar edhe atë se për çështje të ndjeshme si kjo nuk mund të flitet publikisht.

“Ajo çfarë më duhet të them është se me Turqinë kemi bashkëpunim të mirë në fushën e drejtësisë. Në raport me këtë rast Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur ndonjë përgjegjësi, por natyrisht që kurdo që kërkohet përgjegjësia ose kontributi i MD-së do të bashkëpunojmë. Janë disa çështje të ndjeshme që ne nuk mund të flasim publikisht, sapo të kemi informacione për publikun do t’i ndajmë”, tha Haxhiu për Zeri.info.

Kujtojmë se pas një vëzhgimi të gjatë sipas mediave turke, kosovari Liridon Rexhepi u ndalua nga Departamenti i Antiterrorit të Policisë së Stambollit më 30 gusht 2024. /Zëri