Bislimi flet për dialogun me ambasadoren jorezidente të Kanadasë

Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ai e falënderoi ambasadoren për mbështetjen e pareshtur të Kanadasë për Kosovën, duke veçuar përkrahjen ndaj proceseve të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Palët biseduan rreth raporteve bilaterale dhe potencialit për zgjerimin dhe thellimin e tyre edhe më tej. U theksuan bashkëpunimi mes kuvendeve dhe deputetëve të dy shteteve, ngritja e marrëveshjeve apo memorandumeve të mirëkuptimit për fuqizim të ndërveprimit në fusha me interes të përbashkët dhe forcimin e lidhjeve në sferat ekonomike”.

“Zëvendëskryeministri e informoi ambasadoren edhe mbi zhvillimet aktuale në vend dhe procesin e dialogut. Duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës, zëvendëskryeministri e falënderoi ambasadoren për bisedën dhe shkëmbimin e ditës së sotme”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv