Vrasja e Triumf Rizës, Ilir Avdullahu deklarohet i pafajshëm: S’e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme

Ilir Avdullahu është deklaruar i pafajshëm për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Deklarimin rreth fajësisë i akuzuari e bëri në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Habibe Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jam i pafajshëm. Nuk kam të bëjë me këtë rast dhe nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme. Deri sot nuk kena pas të bëjmë me drejtësi, po kena pas të bëjmë me një drejtësi private dhe kjo aktakuzë e kam cek edhe në Prokurori ka prova të manipulume, të montume dhe të kontrabandume”, tha Avdullahu.

Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësi i rastit Valon Kurtaj e njoftoi Avdullahun dhe mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Dreshaj se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe për kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Avokati Dreshaj kërkoi plotësim të lëndës me disa prova dhe tha se do t’i drejtohet me shkrim Prokurorisë, ku do t’i theksojë provat që i kërkojnë nga PSRK-ja dhe arsyet pse i kërkojnë.

Ndërsa, prokurorja Salihu tha se disa prej atyre që i përmendi avokati nuk janë propozuar në aktakuzë.

“Qysh e pash unë, disa nga provat që i kërkon avokati nuk janë propozuar në aktin akuzues, por pas marrjes së procesverbalit, do t’i vlerësoj nëse ka diçka që nuk ia kam dorëzu”, tha prokurorja.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Avdullahu, i cili ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Sipas aktakuzës i pandehuri I.A. në bashkëkryerje me tani të dënuarit A.B. dhe F.A. si dhe me të pandehurit E.S. dhe RR.A. si grup i organizuar kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, nga Neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 e 9, lidhur me Nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës”, thuhej në njoftim.

Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.