Pas klubeve, vjen edhe reagimi nga FFK-ja

Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me një reagim në faqen zyrtare, pas reagimeve nga klubet kosovare ditën e djeshme.

Dhjetëra klube kanë reaguar nëpërmjet një komunikate të njëjtë të publikuar në faqet e tyre zyrtare, derisa tani ka ardhur edhe reagimi nga FFK-ja.

Reagimi i plotë nga FFK-ja:

Klubet dhe, në përgjithësi, komuniteti i futbollit në Kosovë kanë dëshmuar edhe një herë se janë mburojë e fortë e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ato nuk lejojnë që individë të paintegritet, të cilët nuk kanë lidhje me futbollin, të denigrojnë dhe shantazhojnë këtë sport, për të cilin është derdhur shumë djersë dhe janë bërë investime të mëdha për dekada me radhë.

Klubet, Lidhjet Rajonale, shoqatat e asociacionet e trajnerëve, të gjyqtarëve, të veteranëve, të futbollit të femrave, të futsallit, shkollat e futbollit dhe të gjithë dashamirët e futbollit kanë reaguar ashpër ndaj shpifjeve të fundit nga një personazh që fshihet pas petkut të gazetarit dhe opinionistit.

Federata e Futbollit të Kosovës shpreh mirënjohjen e saj ndaj të gjitha klubeve, futbollistëve, trajnerëve dhe dashamirëve të futbollit për mbështetje të vazhdueshme. Faleminderit që e mbroni dhe e vlerësoni futbollin, duke e forcuar imazhin e tij dhe duke mos lejuar nëpërkëmbjen e tij nga disa individë që nuk përfaqësojnë asgjë në këtë sport.

FFK-ja do të vazhdojë të përfaqësojë me krenari vlerat e vërteta të futbollit dhe parimet e UEFA-s dhe FIFA-s.

Ne do të krijojmë kushte të favorshme për të rinjtë e vendit tonë përmes investimeve dhe mbështetjes në të gjitha segmentet; edukim, avancim, infrastrukturë, zhvillim, masivizim dhe profesionalizëm.

Së bashku do ta ruajmë dhe zhvillojmë futbollin tonë!

o