Tifozët e futbollit po i kritikojnë klubet e tyre për nënshtrim ndaj FFK-së dhe Agim Ademit

Fushata e nisur nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) kundër mediave, gazetarëve, emisioneve sportive dhe analistëve e panelistëve të tyre, të cilës iu bashkuan dhjetëra klube të futbollit me komunikata të ngjashme, me përmbajtje të një presioni të hapur ndaj mediave dhe lirisë së shprehjes, nuk po pritet aspak mirë te tifozët e futbollit në Kosovë.

Këto komunikata kanë filluar t’u kthehen në bumerang klubeve që i lëshuan ato, e aq më shumë FFK-së, shkruan gazeta Express.

Këto komunikata klubet e futbollit i lëshuan përmes faqeve zyrtare të tyre në “Facebook”, e ku po komentohen goxha shumë nga tifozët e tyre. Një pjesë e madhe e komenteve të tifozëve janë ironike.

Për më tepër, shumë tifozë po i kritikojnë klubet e tyre të zemrës, siç komentojnë ata, për “nënshtrim të klubeve të tyre ndaj federatës dhe një njeriu: Agim Ademit”.

Disa tifozë po i kritikojnë klubet e tyre që vendosën të lëshojnë komunikatë, siç thonë ata, të shkruar e të porositur nga kreu i FFK-së, Agim Ademi.

Disa nga ta thonë se gjendja e futbollit në vend është e keq si pasojë e keqmenaxhimit të FFK-së, andaj i pyesin klubet se pse po e përkrahin atë.

Disa të tjerë mendojnë se klubet e tyre i lëshuan komunikatat mbështetëse për Agim Ademin nga frika e pësimit në gara kampionale apo nga egoja e përfitimit.

Alarmues janë edhe disa tifozë që i përkrahin komunikatat që përmbajnë presion të hapur mbi mediat e gazetarët dhe cenuese për lirinë e shprehjes.

Edhe pse Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) të hënën i reagoi Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilës ia bëri me dije se një letër publike e saj përmban presion të hapur ndaj gazetarëve dhe mediave.

Presioni dje dhe sot veç çka është shtuar ndaj gazetarëve mediave, analistëve sportivë dhe panelistëve të ndryshëm që marrin pjesë në emisione sportive.

Me një presion të madh dhe linçim po ballafaqohet edhe gazetari e publicisti, Baton Haxhiu, dikur gjyqtar i futbollit.

Dje dhe sot ka nisur një fushatë e klubeve të futbollit – anëtare të FFK-së – të cilat po lëshojnë komunikata, përmes së cilave po shprehin mbështetje për FFK-në, e në anën tjetër bëjnë presion të hapur kundër emisioneve sportive të televizioneve.

Gazeta Express ju sjell komente të tifozëve në komunikatat e çuditshme të klubeve, dy prej të cilave po përmbahen, FC Prishtina dhe Drita FC, të cilat ende nuk i janë bashkuar kësaj fushate. /Express