Kurti mëngjes pune me përfaqësues të agjencive të OKB-së, këto ishin temat për të cilat diskutuan

Në një mëngjes pune, kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bashkëbiseduan me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me në krye koordinatoren Arnhild Spence.

Në një njoftim nga Qeveria, thuhet se që një vit tani Qeveria e Republikës së Kosovës ka gjetur zgjidhje të ligjshme për bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, që mbron sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës.

“Ky bashkëpunim është i frytshëm dhe sjell bashkëpunim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit, mirëqenies sociale, punësimit, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e digjitalizimit të shërbimeve”.

Tema të diskutimit ishin prioritetet dhe projektet e Qeverisë dhe bashkëpunimi me këto agjenci në avancimin e tyre.

“Në veçanti, është diskutuar për bashkëpunimin në zhvillimin ekonomik përmes mbështetjes ndaj bizneseve e turizmit, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë. Po ashtu, është diskutuar për zhvillimin e transportit urban për lidhjen më të mirë ndërmjet lagjeve e qyteteve”.

“Kryeministri i informoi të pranishmit rreth punës më shumë se trevjeçare të Qeverisë dhe progresin e arritur i cili është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”.

“Përmendi mes të tjerash krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës edhe përmes platformës "Superpuna", rritjen e punësimit për gratë, ku me masat e Qeverisë u mbështet punësimi i mbi 12 mijë grave”.

“Ai shtoi se edhe në veriun e vendit po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë këtu edhe përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë”, thuhet në njoftim.

Kurti thuhet se i falënderoi përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara për bashkëpunimin e ngushtë, punën e përbashkët dhe bashkëbisedimin e frytshëm. /Zëri