Arrestohet menaxherja e një OJQ-je në Pejë, për dy vjet mashtroi njerëz duke përfituar para

Policia e Kosovës, me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë, ka kryer bastisje në një shtëpi në fshatin Loxhë të Pejës.

Shtëpia ishte në pronësi të një femre, e cila në cilësinë e menaxheres së një OJQ-je, për dy vjet kishte mashtruar disa persona duke përfituar para kundërligjshëm, transmeton Zeri.info.

E dyshuara është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Fsh. Loxhë - Pejë 2022/2024. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, me urdhër nga Gjykata Themelore, ka kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të së dyshuarës femër kosovare, nën dyshimin e bazuar se e dyshuara ka kryer veprën penale ‘Mashtrim’. E dyshuara gjatë periudhës kohore 2022/2024 në cilësinë e menaxheres së një OJQ-e dyshohet se duke mashtruar persona të ndryshëm ka përfituar para në mënyrë të kundërligjshme. Policia ka kryer kontrolle në objektet e të dyshuarës dhe ka konfiskuar dëshmi që lidhen me rastin. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e plotë të Policisë. /Zëri