NATO, gjenerali Cavioli në Tiranë për takimin e Kartës së Adriatikut

Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën (SACEUR), Gjenerali Christopher Cavoli, ndodhet në Tiranë, ku do të marrë pjesë, në Konferencën e 27-të, të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, të SHBA-Kartës së Adriatikut, e cila pritet të mbahet të mërkurën në Tiranë.

Në kryeytetin shqiptar, gjenerali amerikan u takua gjatë të martës me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, ndërsa një ditë më parë ai u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”, “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik, përkushtimit ndaj bashkëpunimit transatlantik, inovacionit në strategjitë ushtarake dhe frymëzimit të gjeneratave të reja”, nga Universiteti Europian i Tiranës, UET.

Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane, vizita e gjeneralit Cavioli “përforcon aleancën dhe partneritetin e fortë mes vendeve tona në fushën e mbrojtjes, përfshirë ushtarët amerikanë dhe shqiptarë që trajnohen krah për krah”.

Gjatë takimeve me autoritetet shqiptare është diskutuar partneriteti strategjik i Shqipërisë si me SHBA-të ashtu dhe me Nato-n, si dhe situata e krijuar për shkak të agresionit rus në Ukrainë apo konfliktit në Lindjen e mesme dhe pasojat mbi rajonin e Ballkanit. “Këto konflikte kanë ndikimin e tyre negativ edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili theksoi se “Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve të Forcave të Armatosura për planin kombëtar të mbrojtjes, atë rajonal të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjes kolektive në përputhje me modelin e Forcave të Nato-s”.

Pala shqiptare ka këmbëgulur gjatë takimeve dhe në propozimin e saj që Nato të ketë një bazë detare në zonën e Porto Romanos në Durrës. Kryeministri Rama e përmendi këtë dhe në fjalën e tij gjatë ceremonisë për gjeneralin amerikan në UET, kur tha se “vendi ynë është gati për të kontribuar dhe lehtësuar lëvizjen e shpejtë të Natos përmes Korridorit 8, një rrugë strategjike nga Adriatiku në Detin e zi. Nuk janë thjesht fjalë, por është një bashkëpunim dhe bashkëpunimi është dypalësh. Shqipëria është e gatshme për të bashkëpunuar”.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, bëri të ditur se gjatë takimit që kishte pasur me Gjeneralin Cavioli “ecuria e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës portuale në Porto Romano zuri një vend të rëndësishëm në këtë takim. U ndalëm në detaje të rëndësishme të këtij projekti, si pjesë jetësore e infrastrukturës rajonale të Korridorit VIII, një korridor i dobishëm për sigurinë, lëvizshmërinë ushtarake si dhe zinxhirët e furnizimit të rajonit dhe mbarë Aleancës”. /VOA