NATO-ja e konfirmon: Me Bislimin e Petkoviqin diskutuam për çështjen e urës së Ibrit

Ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, Komandanti i Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat, sipas një komunikate për media e lëshuar nga Aleanca Veri – Atlantike, NATO, të martën kanë zhvilluar takime të ndara me të kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimi e kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviqin në Bruksel.

Takimet e ndara, sipas NATO-s, u zhvilluan në margjinat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e organizuar nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak – ku çështja kryesore e diskutuar ka qenë hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Ndihmëssekretari i përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

Goffus, siç thuhet në komunikatë, ka theksuar se vendimi për çështjen e urës “duhet të merret në kuadër të dialogut” dhe në “koordinim në kohë dhe në mënyrë efektiv me Komunitetin Ndërkombëtar”.

“Në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”, potencon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com