Kushdo që dialogon me Serbinë për urën e Ibrit shkel sovranitetin dhe Kushtetutën, thotë Osmani

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përsëritur edhe sot se tema e urës së Ibrit nuk është çështje që duhet të diskutohet me Serbinë në Bruksel.

Sipas Osmanit, kushdo që e bën një gjë të tillë, shkel sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës, transmeton Zeri.info.

“Po e përsëris, nëse dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, bën shkelje të sovranitetit dhe Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Kjo temë duhet të diskutohet me partnerët e sigurisë, sepse edhe marrëveshjet e Brukselit e parashohin një gjë të tillë”, deklaroi Osmani të martën në një deklaratë para mediave.

Ajo shtoi se procesi i dialogut në Bruksel ka një kohë që nuk po realizohet në parimet e barazisë mes palëve, raporton Zeri.info.

“Kosova ka treguar vazhdimisht përkushtim, jo vetëm zbatim të marrëveshjeve, por ka treguar përkushtim edhe për paqe. Problemi është që ky dialog ka një kohë të gjatë që nuk po dëshmohet se po realizohet në përputhje me barazimin e palëve”, deklaroi Osmani. /Zëri