Ministria konfirmon se nisi verifikimi i prindërve që s’jetojnë në Kosovë, por marrin shtesa për fëmijët

Ministria e Financave ka konfirmuar se ka nisur verifikimin e prindërve ndaj të cilët ka dyshime se nuk jetojnë në Kosovë, por përfitojnë shtesat e fëmijëve.

“Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në e-mail adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të riaktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ministria gjithashtu ka sqaruar se nëse prindërit nuk kanë pranuar njoftimin të tillë nga eKosova e as e-mail nga MFPT-ja, atëherë nuk kanë nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim.

“Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftim. /Zëri