Hidhet koktej molotovi në një shtëpi te “Kroi i Vitakut” në veri, Qeveria dënon rastin

Një shtëpi është përfshirë nga zjarri sot pas mesnate në veri të vendit, pasi dyshohet se në të është hedhur koktej molotovi.

Policia ka bërë të ditur për “Zërin” se rasti ka ndodhur rreth orës 00:30, në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri.

“Rreth orës 00:30 patrulla policore, e cila ka qenë në patrullim, ka vërejtur tym në një shtëpi te ‘Kroi i Vitakut’. Kur është afruar afër policia ka vërejtur derën e hyrjes, e cila ishte duke u djegur. Zjarri është fikur nga patrulla, ndërsa dëme ka pësuar dera e hyrjes së kësaj shtëpie. Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarrvënie dhe që ky zjarr është shkaktuar nga koktej i molotovit. Për momentin nuk kemi të dyshimtë ose të arrestuar, ndërsa Policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, ka thënë për “Zërin” zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Rastin e ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar në lidhje me rastin, ku ka thënë se as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletet terroriste nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm”.

“Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike, e cila nxitet nga Vuçiqi, i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka reaguar Krasniqi. /Zëri