Operacioni “Kolonia” konfiskon drogë në vlerë rreth 40 mijë euro, prangos tre persona

Pas një hetimi disa mujor, Policia e Kosovës ka realizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Kolonia”, i cili çoi në arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në shitblerjen e narkotikëve.

Bëhet e ditir se operacioni u zhvillua më 14 shtator 2024, në Fushë-Kosovë dhe ka rezultuar në konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se operacioni filloi rreth orës 17:30, kur njësitë policore  në rrugën e Pejës, më saktësisht afër rreth rrotullimit në Fushë Kosovë ndaluan një veturë të tipit Golf 7, në të cilën udhëtonte një i dyshuar me inicialet (D.E.).

Pas ndalimit të tij, policia kreu një bastisje në banesën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan 17 me bari ngjyrë të gjelbër të dyshuar për narkotik të llojit Marihuanë me peshë prej 8 kilogramësh dhe 471.5 gramë, si dhe 11 paketime të dyshuara për kokainë me peshë prej 59.3 gramë.

Po ashtu sipas njoftimit të Policisë, bëhet e ditur se u gjetën 92 tableta të dyshuara si Extazi, një peshore digjitale dhe 4,800 euro, të cilat dyshohen se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.

Në vazhdën e operacionit, policia kreu një tjetër bastisje në një banesë pranë banesës së të dyshuarit të parë, ku u arrestua një person i dytë me inicialet (Sh.O.).

Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën 6 paketime me marihuanë me peshë 10.5 gramë dhe 200 euro para të gatshme.

I dyshuari i tretë, (B.I.), u arrestua më vonë, dhe nga ai u konfiskua një automjet, i cili dyshohet se ishte përdorur për transportimin e substancave narkotike.

Policia e Kosovës ka deklaruar se “të gjitha veprimet janë bërë në koordinim me Prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë,” ndërsa të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë pas intervistimit.

Hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Policia theksoi përkushtimin e saj për luftimin e dukurive negative, duke nënvizuar se masa të ashpra ligjore po merren ndaj personave të përfshirë në shitblerjen e substancave narkotike.

“Inkurajojmë të gjithë qytetarët që kanë informata relevante të bashkëpunojnë sa më shumë me Policinë e Kosovës në parandalimin e rasteve të tilla,” thuhet në njoftimin e PK-së. /Zëri