Kongresisti Torres: S’ka kthim prapa në Kosovë, Vuçiqi në anën e gabuar të historisë

Edhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka reaguar pas fjalimit që ka mbajtur ditën e premte, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka shpalosur disa kërkesa për Kosovën.

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres në reagimin e bërë në platformën “X”, ka shprehur sërish mbështetjen për Kosovën, derisa ka pohuar se Aleksandar Vuçiq është në anën e gabuar të historisë, transmeton Telegrafi.

“Serbia po kërkon që Kosova të heqë dorë nga sovraniteti i saj dhe të kthehet në “status quo ante”. Nuk do të ketë një kthim të tillë.  Kosova është një shtet i pavarur dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë, i mbështetur nga miku më i madh i saj: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Torrres.

 

Tutje, ai ka potencuar se “Historia është në anën e pavarësisë së Kosovës. Aleksandar Vuçiq është në anën e gabuar të historisë”.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

Në një adresim para kombit, më 13 shtator, Vuçiq ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Ndryshe, pak para adresimit të Vuçiqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia, në vend që të pendohet për krimet që ka kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo ka vendosur të përsërisë kërcënime dhe ultimatume ndaj Kosovës, në koordinim me Rusinë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovë është “tejet dëshpëruese”, por që Kosova nuk trembet nga kërcënimet.

“Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”, ka thënë mes tjerash Kurti.