Komuna e Prishtinës sqarohet pas pezullimit të tenderit për sheshin “Xhorxh Bush”
Komuna e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve për pezullimin e tenderit për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush”.
Në reagimin e Komunës thuhet se pezullimi i aktivitetit të prokurimit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë është rezultat i ankesës së parashtruar nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
“Dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore, e as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me ligj, pavarësisht nëse ankesa është e bazuar ose jo. Pra, çdoherë kur një operator ekonomik parashtron ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike. Kjo është paraparë me Nenin 112, paragrafi 1, i Ligjit për Prokurim Publik”, thuhet në reagimin e Komunës.
Sipas Komunës, të gjitha keqinterpretimet dhe deklaratat tendencioze për shkelje ligjore në këtë aktivitetet janë të pasakta dhe tendencioze.
“Kryeqyteti i siguron qytetarët se ka zbatuar me përpikëri legjislacionin në fuqi për këtë aktivitet, si edhe për çdo aktivitet tjetër”, thuhet në reagim. /Zëri