Muja flet për rritje ekonomike, si “armë e fortë” e Qeverisë që s’po diskutohet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, foli në emër të Grupit Parlamentar në hapje të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Fjalimin e parë ai tha se do t’ia kushtonte performancës ekonomike, duke e vlerësuar atë si “armë të fortë” të Qeverisë. Kjo shkaktoi të qeshura në Kuvend.

“Fjalimin e parë dëshiroj t’ua përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme, të cilat për shkak të situatave politike jo rrallë kanë qenë në hije ose nuk janë diskutuar shumë, por një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike”, tha Muja.

Ai u ndal pak për shkak të reagimeve.

“Në tremujorin e parë të ..., a ka mundësi pak qetësi?”.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024, në bazë të ASK-së, rritja e raportuar ishte 5.6% në terma realë, dhe marrë në përgjithësi, që nga ardhja e kësaj qeverie, nëse bëhet analizimi i thjeshtë, rritja mesatare që nga viti 2021 vazhdon të jetë mbi 6%, larg përtej krahasimisht rritjeve që kanë ndodhur paraprakisht”, vazhdoi Muja.

“E veçanta e kësaj rritjeje ekonomike në 2-3 vjetët e fundit”, sipas Mujës, është se “kjo është rritje ekonomike pa borxh, nuk është e bazuar në borxh”.

Muja tha se “po të mos ishim ne, 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin”.