Safet Gjici lë përkohësisht qelinë, përfundon në spital

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i dënuar nga GJKKO-ja për korrupsion, prej disa ditësh ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë, bëjnë me dije burime për Report Tv.

Ish-kryebashkiaku socialist vuan nga një sëmundje e rëndë.

Safet Gjici u dënua në qershor përfundimisht me katër vjet e 6 muaj burg për aferën seksuale në zyrën e Bashkisë, për të cilën u prangos më 24 qershor të vitit 2023.

Apeli i Posaçëm ndryshoi vendimin e shkallës së parë, që e kishte dënuar Gjicin me tre vjet burgim për shpërdorim detyre dhe ka dhënë dënimin tashmë me formë të prerë me katër vjet e gjysmë për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gjicit do t’i duhet të vuajë tre vjet burgim gjithsej, ndërsa duke llogaritur paraburgimin i mbeten edhe një vit e tre muaj.

Publikimi i videos, ku ai kryente marrëdhënie seksuale në zyrë me Alma K., nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit, por dhe burgun. Po ashtu, Safet Gjicit i hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.