SBASHK-u me nismë për mbledhjen e nënshkrimeve, kërkon ndryshime të skemës pensionale

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kanë iniciuar një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e skemën pensionale në vend.

Sipas tij, kjo nismë ka për qëllim që punëtorëve të arsimit të viteve ’90 t’u llogariten si vite kontributdhënëse, ndërsa është i bindur në mbledhjen e mbi 10 mijë nënshkrimeve.

“Duke respektuar qëndrimet e përfaqësueseve të SBASHK-ut që nga çerdhet e deri në universitet, kemi ardhur me një përfundim të fillojmë me një nismë me mbledhjen e nënshkrimeve nga anëtarësia jonë, por edhe nga qytetarët që t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës të ndërrojnë pjesën e Ligjit për skemën pensionale. Kohëve të fundit me ndryshimin e bërë janë mohuar te drejtat e punëtorëve të arsimit”, ka thënë Jasharaj, teksa shpreh bindjen se ligjvënësve do t’u dërgohen më shumë se 10 mijë nënshkrime.

“Kjo nismë ka për qëllim t’i kthehet e drejta që e ka bërë vetë Parlamenti punëtorëve të arsimit viteve ’90 që këto vite te jenë vite kontributdhënëse të marrin pensionin e plotë që do të ndihmonte jo vetëm punëtorëve të arsimit, po të gjithë sektorët publikë, që të arrijnë kriterin për 15 vjet. Jam i sigurt se jo vetëm 10 mijë, po shumë më shume nënshkrime do të mblidhen për një afat shumë të shkurtër dhe do t’ua dërgojmë organeve përgjegjëse”, tha Jasharaj. /EO