KFOR-i shton patrullimet në gjithë Kosovën, thotë se posaçërisht në veri situata vazhdon të jetë e brishtë

KFOR-i shton patrullimet në gjithë Kosovën, thonë se posaçërisht në veri situata vazhdon të jetë e brishtë

Patrullime në formate të ndryshme është duke realizuar KFOR-i në të gjitha pjesët e Kosovës, kanë konfirmuar zyrtarë të kësaj force, përmes një zëdhënësi.

Tek kanë treguar se patrullimet mbështeten në mandatin që u buron prej OKB-së, zyrtarë të KFOR-it thanë se situata vazhdon të jetë e brishtë, posaçërisht në veriun e populluar kryesisht me serbë.

Veç në veri, KFOR-i, përmes komunikatave të ndryshme, javët e fundit ka njoftuar për patrullimet e bëra edhe në qytete të tjera.

Dje me anë të një komunikate ka njoftuar se ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR, të udhëhequr nga NATO-ja, kryen një patrullë brenda komunës së Leposaviqit.

Këto patrullime kanë për qëllim sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

E plotë:

Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO kryen një patrullë brenda komunës së Leposaviqit.

Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

Kontrolle pati para pak ditësh edhe në Zubin Potok

Kjo forcë ashtu sikurse pjesa diplomatike e komunitetit ndërkombëtar i ka bërë thirrje Qeverisë që në rrethanat aktuale të mos e hapë për Urën për qarkullimin e automjeteve. Madje zyrtarë të saj e kanë përsëritur disa herë se janë të gatshëm të ballafaqohen me këdo që cenon situatën e sigurisë në vend. 

Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 219 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. 

Historikisht ura ka qenë burim tensionesh e konfliktesh. Në shtator të vitit 2009 ishte rihapur pjesërisht për qarkullim, por e përforcuar me forca policore vendëse e ndërkombëtare. Por Ura u betonua me rërë e gurë nga banorët lokalë serbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës zyrtare për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak. Një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ishte vrarë në këtë aksion.

NATO-ja është shprehur e zhgënjyer edhe nga aksionet e autoriteteve të Kosovës në veri, kundër strukturave paralele serbe. Policia e Kosovës para disa ditësh mbylli strukturat paralele serbe në katër komunat në veri. Reagimi ishte i menjëhershëm nga partnerët ndërkombëtarë, që e cilësuan të njëanshëm dhe të pakoordinuar veprimin e Kosovës.