FFK-ja i përjashtoi lojtarët që e thyen rregulloren, e cila s’është publike

Rregullorja për të cilën Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka vendosur t’i suspendojë tre yjet, Edon Zhegrova, Arijanet Muriq e Florent Muslija, nuk është as publike.

Me një komunikate zyrtare, FFK-ja befasoi të gjithë të dielën duke njoftuar suspendimin e Zhegrovës, Muriqit e Muslijës, që sipas mediave lokale kanë dalë në diskotekë menjëherë pas humbjes turpëruese nga Rumania në “Fadil Vokrri”.

Megjithatë, më e çuditshmja është që kjo “rregullore” as që është publike. Edhe pse në shumë shtete gjithçka bëhet publike, për të mos lërë hapësirë për spekulime, te Kosova ndodh e kundërta. Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, por si zakonisht këta të fundit nuk ishin të qasshëm.

Ndërkohë, Muriqi e Zhegrova i kanë mohuar raportimet për pezullimin e tyre, por që asnjëri prej tyre nuk e kanë treguar situatën që ka ndodhur.

Në fakt, gazetari Arlind Sadiku sa ishte drejtpërdrejt në “Sports Show” deklaroi se portieri i Ipswich Town i kishte thënë se FFK-ja tentoi ta fshihte keqmenaxhimin.

“Mendoj se është vendim egoist i FFK, vijmë këtu të luajmë për shtetin. Ne e kemi një ekip të sigurisë që na ndjek 24/7, por janë ata që i publikojnë këto, për të mbuluar keqmenaxhimin e tyre. Nuk duhet ta kemi ne vëmendjen për jetën tonë private, ata po krijojnë probleme si mund të jemi të suksesshëm kur të gjithë mundohen ta fajësojnë njëri-tjetrin. Ne shkuam atje për ushqim dhe jo për aheng”.

Ndërsa, Edon Zhegrova në rrjetin social “Instagram” shkroi se lajme janë të pavërteta, por që do të flasë në fushë.

“Përshëndetje të gjithëve, këto lajme janë të pavërteta dhe pa fakte, do të flasë në fushë. Shihemi së shpejti. Krenar. #dardanët”, shkroi ai në “InstaStory”.

Kujtojmë Kosova se sonte do ta zhvillojë përballjen e dytë, me fillim nga ora 18:00, në udhëtim te Qiproja. /nacionale