Shqipëri: Ndalohet qarkullimi i 17 mjeteve lundruese, rrezikonin sigurinë e pushuesve

17 mjete lundruese janë bllokuar në Shqipëri, për shkak se lundronin jashtë kufirit të lejuar dhe se rrezikonin sigurinë e pushuesve.

Sipas Policisë Kufitare dhe asaj Detare, operacioni “Siguria Detare” ka vijuar edhe në fillimin e muajit shtator, kjo për shkak të fluksit të lartë të frekuentimit të plazheve.

Mjetet e bllokuara janë: nëntë jet ski, katër skafe, tre gomone dhe një varkë metalike.

10 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv.

Pesë mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin.

Një mjet lundrues është bllokuar në Velipojë dhe 1 varkë metalike me motor uji për lundrim është bllokuar në Koman.

Pesë prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative prej 100 mijë lekësh të rinj.

Drejtuesit e 12 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative prej 10 mijë lekësh për mungesë dokumentacioni.