Hyseni: Vendosja e shtatores përpjekje për përfitime politike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, me rastin e përurimit të shtatores së Ibrahim Rugovës në Podujevë, ka thënë se vendosja në këtë moment e shtatores është një përpjekje për të përfituar politikisht.

“Vendosja e saj po bëhet në prag të një fushate zgjedhore, nga një mashtrues tipik, i cili herë thirret në Ibrahim Rugovën e në të djathtën, herën në Albin Kurtin e në të majtën, me qëllim të mbijetesës së tij politike e realizimit të interesave puro personale”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Ai tutje ka thënë se prania e tyre në këtë ceremoni është dëshmi e besnikërisë ndaj vet Presidentit Rugova dhe LDK-së.

Sipas tij as të tjerët, e as Bulliqi që deri dje ishin në struktura të larta të LDK-së në Podujevë, nuk qenë në gjendje as ta propozojnë e as ta bëjnë një shtatore të tillë, por e bënë e sot për të përfituar edhe një herë në emër të Presidentit Rugova dhe të LDK-së.