Kosovë – Rumani në numra, nga trajnerët deri te vlera e kombëtareve

Nata sonte sjell ndeshjen e parë të Kosovës për edicionin e ri të Ligës së Kombeve 2024/25.

“Dardanët” do t’i bëjnë “konak” kombëtares rumune, për një rimeç vetëm pas një viti. Kjo pasi këto dy kombëtare u përballën edhe në kualifikimet për kampionatin evropian “Gjermania 2024”, por që Rumania doli më e suksesshme, duke fituar një dhe duke barazuar në tjetrën – në ndeshjet kokë më kokë.

Ndeshja ndaj Rumanisë sonte do të jetë ndeshja e 85-të për kombëtaren e re dardane.

Rekordi i ndeshjeve për kombëtaren e Kosovës deri më sot qëndron kështu: 28 fitore, 20 barazime dhe 36 humbje. Goldiferenca: 107-118.

Në anën tjetër, kombëtarja rumune qëndron shumë më mirë në ndeshje të luajtura përgjatë historisë, shkruan express.

Për “Trikolorët” ndeshja në Prishtinë do të jetë e 754-a. Statistikat nga këto ndeshje janë si vijojnë: 331 fitore, 195 barazime e 227 humbje. 1225-950 është goldiferenca përgjatë këtyre ndeshjeve.

Trajnerët

Mircea Lucescu u rikthye në krye të Rumanisë për mandatin e tij të dytë pas përfundimit të “Euro 2024”. 79-vjeçari e zëvendësoi Edward Iordanescun.

Gjatë periudhës së tij të parë në krye të Rumanisë (1981-1986), Lucescu i drejtoi 57 ndeshje, nga të cilat arriti 23 fitore, 19 barazime dhe 15 barazime.

Në anën tjetër, Franco Foda i Kosovës ka vetëm tri ndeshje në krye të Kosovës, sonte do të jetë e katërta.

Fillimisht, Foda arriti fitore në miqësoren ndaj Armenisë, derisa u mposht nga Hungaria e Norvegjia.

Foda, trajneri i katërt i huaj i Kosovës

Që nga viti 2014, kur Kosovës iu dha e drejta për të luajtur miqësore, kombëtarja dardane ka pasur 6 trajnerë, prej tyre katër të huaj.

Vetëm Albert Bunjaki (17 ndeshje nga viti 2014 deri 2017) dhe Muharrem Sahiti (i përkohshëm, 1 ndeshje më 2017) janë nga Kosova.

Që nga ajo kohë, vetëm trajnerë të huaj morën drejtimin e Kosovës, duke nisur nga Bernard Challandes, Alain Giresse, Primoz Gliha dhe tani gjermani, Franco Foda.

Forma aktuale e kombëtareve

Marrim parasysh pesë ndeshjet e fundit, para se dy kombëtaret të paraqiten sonte në fushën e “Fadil Vokrrit”.

Rumania ndeshjen e fundit e ka të zhvilluar në Kampionatin Evropian, kur u mposht nga Holanda në 1/8 e finales. Katër ndeshjet paraardhëse, Rumania ka 1 fitore, 2 barazime dhe një humbje.

Kjo do të jetë ndeshja e parë me në krye trajnerin e ri, Mircea Lucescu.

Ndërkohë, Kosova në tri ndeshjet e fundit është mposhtur dy herë dhe ka fituar një herë. Të gjitha këto ndeshje nën drejtimin e Franco Fodës.

Në dy ndeshjet para emërimit të Franco Fodës, Kosova ishte nën drejtimin e Primoz Glihës dhe kësisoj humbi nga Bjellorusia në shtëpi dhe barazoi 1-1 me Zvicrën si mysafir.

Formacionet e mundshme

“Flashscore” ka parashikuar edhe formacionet e mundshme të dy kombëtareve për ndeshjen e sotme.

Çuditërisht, kombëtarja dardane parashihet të luajë me sistem 3-4-3.

Ndërsa, ajo e Rumanisë pritet të shkojë me 4-3-3.

KOSOVA: Muriq; Rrahmani, Aliti, Paqarada; Hadërgjonaj, Berisha, Rexhbeçaj, Vojvoda; Rashica, Zhegrova, Muriqi.

RUMANIA: Nita; Ratiu, Dragusin, Burca, Bancu; R. Marin, M. Marin, Stanciu; Man, Dragus, Mihaila

Performancat e kombëtareve respektive në Ligën e Kombeve

KOSOVA:

UEFA Liga e Kombeve 2018-19

Liga D

1. Kosova 6 4 2 0 15-2 14
2. Azerbajxhani 6 2 3 1 7-6 9
3. Ishujt Faroe 6 1 2 3 5-10 5
4. Malta 6 0 3 3 5-14 3

UEFA Liga e Kombeve 2020-21

Liga C

1. Sllovenia 6 4 2 0 8-1 14
2. Greqia 6 3 3 0 6-1 12
3. Kosova 6 1 2 3 4-6 5
4. Moldavia 6 0 1 5 1-11 1

UEFA Liga e Kombeve 2022-23

Liga B
1. Greqia 6 5 0 1 10-2 15
2. Kosova 6 3 0 3 11-8 9
3. Irlanda Veriore 6 1 2 3 7-10 5
4. Qipro 6 1 2 3 4-12 5

RUMANIA:

UEFA Liga e Kombeve 2018-19

Liga C
1. Serbia 6 4 2 0 11-4 14
2. Rumania 6 3 3 0 8-3 12
3. Mali i Zi 6 2 1 3 7-6 7
4. Lituania 6 0 0 6 3-16 0.

UEFA Liga e Kombeve 2020-21

Liga B

1. Austria 6 4 1 1 9-6 13
2. Norvegjia6 3 1 2 12-7 10
r3. Rumania 6 2 2 2 8-9 8
4. Irlanda Veriore 6 0 2 4 4-11 2

UEFA Liga e Kombeve 2022-23

Liga B

1. Bosnjë & Hercegovina 6 3 2 1 8-8 11
2. Finlanda 6 2 2 2 8-6 8
3. Mali i Zi 6 2 1 3 6-6 7
4. Rumania 6 2 1 3 6-8 7

Ndeshjet kokë më kokë

Rumania e Kosova janë ballafaquar vetëm dy herë gjatë tërë historisë.

Shorti i kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2024 i bëri bashkë me një grup dy kombëtaret.

Fillimisht, Kosova e priti Rumaninë në shtëpi, me ndeshjen që përfundoi 0-0, derisa ndeshja e dytë u luajt në shtator të vitit të kaluar, me Rumaninë që shënoi fitore prej 2-0.

Vlera e kombëtareve dhe pozita në ranglistën e FIFA-s

Sipas “Transfermarkt”, Kosova ka një vlerë prej 94 milionë euro, në krahasim me 92 milionë euro të Rumanisë.

Duke krahasuar edhe moshën mesatare të lojtarëve të ftuar për ndeshjet e shtatorit, Kosova ka një moshë më të re se kundërshtari.

Te Kosova, mosha mesatare shkon në 26.9 vjet, derisa ajo te rumunët deri 28 vjet.

Në ranglistën e fundit të FIFA-s, Kosova ka zënë vendin e 106-të, teksa Rumania është në TOP 50-she, duke u renditur në vendin e 45-të.