Nagavci: S’kemi pranuar asnjë ankesë për tekstet shkollore, kush thotë ndryshe s’e flet të vërtetën

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë lidhur me furnizimin me tekste shkollore të nxënësve dhe shkollave në të gjithë vendin.

Ajo ka pohuar se ky proces i pajisjes me libra ka shkuar mirë në të gjitha komunat.

“Ne kemi pasë kontakte të vazhdueshme edhe me Autoritetin e Konkurrencës, edhe me drejtoritë komunale të arsimit, po ashtu edhe inspektorët, gjegjësisht Task-Forca në kuadër të Ministrisë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë qenë gjatë këtyre ditëve në teren, përgjithësisht ka shkuar mirë pajisja me tekste shkollore”, ka thënë Nagavci.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë ankesë nga asnjë komunë në lidhje me furnizimin me teskte dhe mjete mësimore, kemi dërguar së paku dy letra formale tek komunat ku kemi kërkuar edhe asistencën e tyre për prindërit në rastet ku kemi nevojë, por edhe në rast se diçka nuk mund të zgjidhin të na njoftojnë edhe ne si ministri, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pa furnizim me libra shkollorë”, tha Nagavci në Klan Kosova.

Nagavci deklaroi se deri tani nuk janë të vërteta deklaratat se vitin e kaluar, por edhe këtë vit ka pasur ankesa në ministri për çështjen e teksteve shkollore.

“Jo vetëm këtë vit, por edhe vitin e kaluar nuk e kemi pranuar asnjë ankesë nga komunat, përkundër deklaratave që ka pas dhe kanë qenë më shumë politike, kushdo që thotë ndryshe nuk e thotë të vërtetën, unë i sfidoj të gjithë ata që thonë se i kanë adresuar shqetësimet që të paraqesin ankesat ose çfarëdo shkrese që kanë dërguar në ministri për këtë çështje, nga raportimet e deritanishme nuk kemi ankesa, në lidhje me furnizimin me tekste shkollore”.