Ibishi: Vuçiqi nuk përjashton asgjë për eskalim të situatës në Kosovë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibshi, ka folur për situatën e sigurisë në veri, pas paralajmërimeve për mbyllje të kufijve nga ana e serbëve si dhe për kërkesën e Britanisë së Madhe, drejtuar qytetarëve të saj që ta shmangin veriun e Kosovës.

Ibishi tha se estabilishmentit serb nuk i ka mbetur gjë tjetër në Kosovë, veçse të bllokoj kufijtë jashtë Kosovës.

“Kjo është një iniciativë e turpshme për të bllokuar kufirin, po ashtu kjo është në kundërshtim me të drejtat e njeriut e po ashtu me të gjitha konventat evropiane dhe deklaratën e Kombeve të Bashkuara që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve”, tha Ibishi në RTK.

Tutje ka thënë ai se një gjë e tillë tregon ekstremizmin dhe hipokrizinë e madhe të një vendi fqinjë në krye me Vuçiqin, i cili siç tha Ibishi, i përdor të gjitha mjetet për realizimin e projekteve të tij.

“Mendoj që është pak e sikletshme të mbyllen të gjitha hyrje-daljet e qytetarëve andej e këndej kufirit, pasi që Serbia është si vend transite për qarkullim”, tha Ibishi.

Ai tha se pos komunitetit serb që do t’u vështirësohet komunikimi nga kjo mbyllje, kjo prek drejtpërdrejt edhe tri komunat me shumicë shqiptare në Luginë.

Ndërkaq, rreth kërkesës së Britanisë së Madhe, drejtuar qytetarëve të saj që ta shmangin veriun e Kosovës, Ibishi tha se nga Serbia gjithçka pritet dhe ajo nuk do t’i përjashtoj asnjë mundësi për eskalimin e situatës në Ballkan.

“Gjithçka mund të pritet, në kuptimin e saj është edhe raporti vjetor amerikan i inteligjencës, që ka paralajmërime të frikshme, jo të mira por të frikshme për mundësitë e eskalimit të situatës në Ballkan, nga bota serbe e cila gjithandej po fillon së zbatuari projektet e veta”, tha Ibishi.