Vullini i reagon Stanos: Në emër të kujt po me kritikon? Edhe presidenti i BE-së është takuar me Putinin

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, është takuar gjatë ditës së djeshme në Moskë me presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin.

Ky takim ka hasur në kritika të ashpra nga Perëndimi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kjo vizitë dhe ky takim “është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në BE”.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Stano parashtroi pyetjen se “në emër të kujt flet Vullini” pasi presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka përsëritur se qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE.

“Nuk e dimë se në emër të kujt flet Vullini, sepse presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka përsëritur qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të vazhdojnë apo forcohen raportet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pra, presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i raporteve me Rusinë. Dhe, presim nga të gjithë anëtarët e Qeverisë së Serbisë që ta ndjekin qëllimin e integrimit në BE”, theksoi Stano.

E Vullini iu kundërpërgjigj Stanos me pyetjen e njëjtë, se “në emër të kujt po flet Stano”.

“Nuk e di në emër të kujt flet zoti Stano kur kritikon takimin tim me presidentin e Federatës Ruse, Vlladimir Putin, pasi edhe presidenti i BE-së, Viktor Orban ka pasur një takim me Presidentin Putin. Dhe veçanërisht i kërkoj zëdhënësit të BE-së që të mos të përdor termat agresion, të drejtën ndërkombëtare apo Kartën e OKB-së. Pas vitit 1999 dhe agresionit të paktit të NATO-s ndaj Serbisë, pas nëpërkëmbjes së Rezolutës 1244 dhe njohjes së të ashtuquajturës Kosovë, keni humbur çdo të drejtë të flisni për moralin apo të drejtën ndërkombëtare”.

“Hipokrizia juaj ngjall edhe tallje edhe neveri”, theksoi Vullini.

Ai tha më tej se është ndjerë “krenar” që ka pasur mundësinë të takojë Presidentin Vlladimir Putin “dhe pres çdo mundësi për të takuar një mik të Serbisë dhe një udhëheqës me aq mençuri dhe integritet”.

“Dhe mos ngurroni të më ftoni në Bruksel, do të vij, dhe e vërteta që do t’ju them mund të mos ju pëlqejë, por do të jetë shëruese”, tha zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin.

Gjatë takimit që Vullini dje e zhvilloi me Putinin, i është ankuar për “spastrimin etnik” të serbëve nga Kosova. /Klankosova.tv