4 vjet nga marrëveshja e Washingtonit, Baraliu: Pikat nuk u zbatuan

Dokumenti i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, katër vite më parë në mes të kryeministrit të asaj kohe, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, parashihte normalizim të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë ditës, Hoti nuk ktheu përgjigje rreth vlerësimeve që ka për atë marrëveshje. Por, si ish-kryeministër Hoti kishte thënë se ajo marrëveshje duhet të shihej si hap i madh drejt finalizimit të marrëveshjes për njohje reciproke.

Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

Katër vite pas, përveç njohjes nga Izraeli, asnjë nga pikat e për të cilat Kosova dhe Serbia kishin rënë në ujdi, nuk janë zbatuar.

Profesori, Mazllum Baraliu tha se as pikat e marrëveshjes së karakterit ekonomik nuk janë implementuar.

“Pika e dhjetë e asaj marrëveshjeje që është dashtë, është përgatitë dhe është dashur të ketë parasysh në aspektin e përfshirjes së Kosovës dhe njohjes së saj nga Serbia, de jure jo vetëm de fakto është hequr atje nga Sebia dhe ka mbetur një marrëveshje e mangët e vakët e karakterit kryesisht kinse ekonomik dhe do të thosha gjithsesi e dëmshme për Kosovën”, tha Baraliu për RTK.

Më 4 shtator 2020 në Uashington, ndër të tjera Kosova u pajtua që të respektojë një moratorium njëvjeçar që të mos aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare ndërkaq Serbia u obligua që të pezullojë iniciativën e saj të lobimit ndaj shteteve të ndryshme për tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu Kosova e Serbia në Uashington ishin pajtuar që të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë dhe atë hekurudhave Beograd-Prishtinë.