Një muaj paraburgim të dyshuarve për vrasjen në “Aktash”

Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka vendosur nga një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve të përfshirë në rastin e përleshjes mes grupeve “Sekiraqët” dhe “Capat”, ku mbeti një i vrarë në “Aktash” të Prishtinës ditë më parë.

Këtë e konfirmoi për Zeri.info, Mirlinda Gashi, zëdhënësja e Gjykatës Themelore, e cila nuk dha më shumë detaje.

“Po, është caktuar nga një muaj paraburgim për secilin”, ka thënë shkurt Gashi për “Zërin”.

Kjo masë u vendosë në seancën e sotme që u zhvillua rreth orës 14:00 në hapësirat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Nga ngjarja e së dielës (1 shtator 2024), mbeti pa shenja jete Premtim Gashi, pjesë e familjes së “Capave”.

Ndërsa, pesë të dyshuarit u arrestuan në vendngjarje, teksa policia ka bërë të ditur se është në kërkim edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë rast. /Zëri