Konjufca: Disa nga ndërkombëtarët kanë mbetur në premtimin që ia kanë dhënë Serbisë për një “Zajednicë”

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se disa prej faktorëve ndërkombëtar kanë mbetur shumë prapa, siç tha ai, në premtimin që ia kanë dhënë Serbisë për një “Zajednicë”.

Konjufca u shpreh se “Zajednica” është goxha projekt i vdekur, dukë thënë se për Serbinë ajo është një shtet në Kosovë, për Kosovën, sipas tij, është dashur të jetë një mekanizëm joqeveritar.

“Disa prej faktorëve ndërkombëtar kanë mbetur shumë prapa, para 11 vjetësh në Kosovë. Kanë mbetur në atë premtimin që ia kanë dhënë Serbisë, se këtu do të bëhet një Zajednicë, edhe sjellja që unë e shoh mbi urë, ka lidhje me këtë qëndrim”.

“Zajednica është goxha projekt i vdekur. Është mënyra se si e ka kuptuar Kosova dhe se si e ka kuptuar Serbia, për Serbinë ajo është një shtet në Kosovë, për Kosovën ish dasht me qenë një mekanizëm joqeveritar”, tha ai në Klan Kosova.

Kryeparlamentari gjithashtu edhe ka komentuar ambasadorit amerikan në lidhje me siç është quajtur “instrumetalizimin e policisë”.

“Policia është institucion i shtetit dhe ky institucion i shtetit është për garantimin e sundimit të ligjit me sa e di unë, në Kosovë. Për të pasur zbatim të ligjit, duhet me u sfidu, ata të cilët e kundërshtojnë këtë zbatim të ligjit dhe kjo nuk duhet të realizohet në kuptimin etnik, ka serb atje të strukturave paralele që e sfidojnë Kosovën dhe sundimin e ligjit, por në qytetet e tjera ka edhe shqiptar, që janë të etnisë shqiptare, që mund të bëjnë krim të organizuar, mund ta shkelin ligjin, e sfidojnë policinë dhe policia reagon”.

“Në asnjë moment nuk mendoj që çfarëdo ndërhyrje e policisë së Kosovës në pjesën e veriut të Kosovës, është instrumentalizim i policisë për të dëmtuar dikë në baza etnike“, është shprehur ai.