Haxhiu për vrasjen në “Aktash”: Kriminelët të mos tolerohen nga sistemi i drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me vrasjen e së dielës në “Aktash”, ku mbeti i vdekur një person e pesë të tjerë u plagosën, ka thënë se është e papranueshme që kriminelët ose grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë.

Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se me këtë rast duhet të merren organet përgjegjëse dhe se institucionet duhet të mbahen përgjegjëse për veprimet që i kanë me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

“Për mua është e papranueshme që kriminelët, grupe kriminale të tolerohen nga sistemi i drejtësisë, ose tentojnë të sfidojnë ligjin dhe të mendojnë se janë mbi ligjin ose shtetin. I bëj thirrje secilit institucion të kryejë detyrat me përgjegjësi të larta, të mos lejojë kriminelët të bëjnë veprime të tilla”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo thotë se nga videot e postuara në rrjetet sociale nga ky rast shihet se edhe jeta e qytetarëve të pafajshëm është rrezikuar dhe sipas saj për këtë kryerësit e kësaj vepre duhet të vihen para drejtësisë.

“Ata duhen të përgjigjen para drejtësisë, në atë rast janë rrezikuar persona të pafajshëm”, vijoi ajo.