Aksidenti me fatalitet në Komoran, arrestohet shoferi i njërës nga veturat e përfshira

Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur të dielën në Komoran, ku një person ka humbur jetën.

Policia, përmes raportit ditor, ka dhënë detaje rreth këtij aksidenti, ku të përfshira ishin dy vetura dhe një motoçikletë.

“Raportohet për një aksident trafiku, ku janë përfshirë dy vetura me drejtues një mashkull kosovar dhe një femër kosovare dhe një motoçiklisti, mashkull kosovar. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka vdekur, vdekja e të cilit është konstatuar në QKUK”, ka njoftuar Policia.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, ndërsa drejtuesi i njërës nga veturat e përfshira në aksident, i dyshuari kosovar, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.