Zyrtare: Arsenali transferon Mikel Merinon

Arsenali ka njoftuar se zyrtarisht ka arritur ta transferojë mesfushorin Mikel Merinon.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi përmes një komunikate zyrtare në platformën “X”.

“Reprezentuesi spanjoll Mikel Merino na është bashkuar nga Real Sociedad nga La Liga me një kontratë afatgjatë”, thuhet në komunikatën e klubit.

Mesfushori 28-vjeçar ka qenë një anëtar jetik i skuadrës së Sociedadit që kur iu bashkua skuadrës baske në vitin 2018. Në zemër të mesfushës së tyre, ai bëri 242 paraqitje, duke shënuar 27 gola dhe duke asistuar 30 herë.

I lindur në Pamplona të Spanjës, Mikeli e filloi karrierën e tij me Osasunan. Ai përparoi në radhët e tyre të të rinjve në ekipin e parë, ku bëri 67 paraqitje dhe shënoi tetë gola. Në korrik 2016, ai iu bashkua Borussia Dortmundit dhe i ndihmoi ata të fitonin Kupën e Gjermanisë majin e ardhshëm.

Atë verë, Mikeli iu bashkua Newcastle Unitedit në një huazim një sezon dhe, pasi la një përshtypje të fortë në fillim, ai nënshkroi një marrëveshje të përhershme vetëm disa muaj më vonë, duke bërë 24 paraqitje në Premier League në sezonin e tij debutues.

Mikeli është një ndërkombëtar me përvojë me 28 paraqitje për Spanjën. Në nivelin e të rinjve, ai fitoi Kampionatin Evropian U-19 në 2015 dhe Kampionatin Evropian U-21 në 2019. Ai gjithashtu ka një medalje argjendi olimpike, duke luajtur një rol kyç në vendin e dytë të Spanjës në Lojërat 2020 në Japoni. /Zëri