Totaj i ashpër ndaj Çekut për “Sarajin e Vjetër”: Komuna veproi sepse MKRS-ja vonoi përgjigjen sipas afatit ligjor

Shembja e objektit “Saraji i Vjetër” ka nxitur debat mes kryetarit të Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj dhe ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut.

Duke qenë se MKRS-ja ka ngritur kallëzim penal me akuzën se objekti është rrënuar jashtëligjshëm, meqë është monument i Trashëgimisë Kulturore, kryetari i Prizrenit Totaj pati disa përgjigje ndaj ministrit Çeku.

“Ministria është vonuar në respektim të afatit për kthim të përgjigjes, dhe si pasojë e moskthimit të përgjigjes në afat ligjor, komuna e ka marrë të drejtën të veprojë dhe t’i japë lejen investitorit”.

“Gjatë zgjatjes së procedurës së dhënies së lejes, MKRS-ja ka filluar në mënyrë të kundërligjshme, procesin e kalimit të asaj prone në mesin e objekteve të mbrojtura të Trashëgimisë Kulturore”, tha Totaj në Klan Kosova.

“MKRS-ja këtë e ka bërë pa e bërë valorizimin e nevojshëm, pa respektuar hapat ligjorë dhe pa e njoftuar komunën fare”.