Konvertimi i patentë-shoferëve, Kurti: Qytetarët tanë serbë bënë hap të rëndësishëm drejt integrimit në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se qytetarët serbë të Kosovës kanë reaguar në masë të madhe ndaj thirrjes për konvertimin e targave ilegale, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të tyre në institucionet e Kosovës.

Ai njoftoi në Facebook se janë bërë gjithsej 6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok”, ka shkruar Kurti.

Afati për regjistrim, i cili filloi më 9 maj dhe ishte i paraparë të përfundonte më 9 gusht, u shty për dy javë të tjera deri më 23 gusht, “për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve”, sipas Kurtit.

Ai vuri në dukje se kjo periudhë tre mujore kaloi pa asnjë incident apo ankesë.

Kryeministri shprehu mirënjohje ndaj qytetarëve të komunitetit serb që e shfrytëzuan këtë mundësi për të bërë një hap drejt integrimit dhe gjithashtu falënderoi zyrtarët e institucioneve për punën dhe asistencën e ofruar gjatë procesit të aplikimit.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të të gjithë qytetarëve tanë në Republikën e Kosovës” ka shkruar tutje Kurti në Facebook.