Qëndrim Zyba reagon ndaj deklaratës së trajnerit të Legias: S’kam dhënë asnjë informacion, lojë dhe presion i tij para lojës me Dritën
Gjatë konferencës së sotme të Legias, trajneri i kësaj skuadre, Goncalo Feio, deklaroi se ka marr informacione nga ish-futbollisti i tyre Qëndrim Zyba, për mënyrën se si luan Drita.
Zyba që ishte pjesë e Legias për gjashtë muaj, ka reaguar në rrjetet sociale, duke e hedhur poshtë këtë deklaratë të trajnerit portugez dhe duke shtuar se ai nuk ka biseduar me askënd nga ish-klubi i tij edhe pse gëzon respekt për ta.
“Reagim ndaj deklaratës se trajneri të Legias!!! Pash në media deklaratën e trajnerit Goncalo Feio dhe përdorjen e emrit tim si referim për informacione mbi kundërshtarin e ardhshëm që Legia ka. Unë kuptoj lojën deklarative dhe presionin qe trajneri do të vendos mbi kundërshtarin, por me duhet te them për respekt te opinionit futbolldashës dhe të ekipit FC Drita se asnjë informacion mbi formën e lojës ose diçka tjetër nuk kam nda me asnjë zyrtar te klubit Legia. Kam qenë dikur lojtar i asaj skuadre dhe ruaj respekt e konsideratë të lartë për Legian dhe gjithë anëtarët e saj, por tashme gjithë preokupimi dhe përkushtimi im lidhet me skuadrën time të tanishme Slovan Liberec”.
“Reagimin po e bëj për të sqaruar pozicionin tim sado e kuptueshme që është ‘lufta’ deklarative e trajnerit te Legias, por unë e kam sqaruar këtë keqkuptim të qëllimshëm dhe destabilizues edhe me trajnerin e tanishëm të FC Drita, Zekirija Ramadanin, trajner me te cilin unë kam punuar dhe kam konsiderate te jashtëzakonshme për të. Ne natyrën dhe edukatën time asnjëherë nuk do të pranoja që të bëja dëm për skuadrat kosovare sado që nga koha e kaluar ato ishin kundërshtare fushe për mua dhe ekipin tim”, ka shkruar Zyba, i cili iu ka uruar sukses dy skuadrave në fushën e blertë.
Legia dhe Drita luajnë të enjten nga ora 18:00 në Varshavë. Është ndeshja e parë e play-offit të Ligës së Konferencës.