Sot përfundon afati i konkursit për organizimin e Superkupës
Sot në orën 17:00 do të përfundojë afati i konkursit për organizimin e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Superkupa e Kosovës do të organizohet më 7-11 shtator 2024.
Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë personat juridikë që përmbushin kushtet e këtij konkursi dhe dispozitat e parapara në Udhëzuesin për Organizim të Superkupës së Kosovës – Meshkuj.
Për të konkurruar për organizimin e Superkupës së Kosovës – Meshkuj, kandidatët duhet përmbushur këto kushte:
- Të mos ketë obligime të pakryera ndaj FBK-së (ose marrëveshjen për shlyerjen e obligimeve ndaj FBK-së të nënshkruar);
- Të sigurojë kushte për zhvillimin e ndeshjeve sipas rregullave të lojës së FIBA-s, Propozicioneve dhe Rregullores së Garave të FBK-së, si dhe akteve tjera normative të FBK-së;
- Të sigurojë medaljet, kupat dhe trofetë për fituesit dhe finalistët e Kupës në të dyja konkurrencat, dizajnin e të cilave e përzgjedh FBK;
- Të mbulojë shpenzimet për personat zyrtarë për të gjitha ndeshjet e Superkupës;
- T’u përmbahet në përpikëri dispozitave të Udhëzuesit për Organizim të Superkupës së Kosovës për marketing në palestër dhe në transmetime televizive;
- Të sigurojë prezencë të mjaftueshme të forcave policore dhe pjesëtarëve të sigurimit privat në të gjitha ndeshjet e Superkupës;
- T’u përmbahet dispozitave të tjera të Udhëzuesit për Organizim të Superkupës;
- Të nënshkruaj kontratë me FBK-në, ku do të specifikohen detajet e organizimit, si dhe obligimet e të drejtat e palëve.
Në rast të përmbushjes së të gjitha kritereve nga dy ose më shumë aplikantë, kriteri financiar është prevalent (kryerja e obligimeve ndaj FBK-së).